VKM Nr. 27 dt. 19.01.2007

VENDIM
Nr. 27, datë 19.1.2007
PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËSIMIT DHE TË DHËNIES
SË KONCESIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 5 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006
“Për koncesionet”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i
Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve, sipas tekstit, që i bashkëlidhet
këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet, qendrore dhe vendore, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 9663, datë
18.12.2006 “Për koncesionet”.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
RREGULLAT E VLERËSIMIT DHE TË DHËNIES SË KONCESIONEVE
KREU I
PARIME TË PËRGJITHSHME
Autoriteti kontraktues është përgjegjës për vlerësimin e kushteve, kritereve, mënyrave dhe procedurave
për dhënien me koncesion të projekteve të kërkuara dhe të pakërkuara në përputhje me dispozitat e
ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” dhe të këtyre rregullave.
Autoriteti kontraktues mban regjistrin e koncesionit. Ky regjistër ruhet dhe administrohet nga autoriteti
kontraktues për një periudhë kohe sipas kërkesave të ligjit për arkivat.
Ky regjistër duhet të përmbajë, të paktën:
– Emërtimin e autoritetit kontraktues, adresën e tij, objektin e konkurrimit për koncesionin e dhënë, të
dhënat e subjektit fitues (koncesionarit), vlerën e projektit apo shërbimit të dhënë me koncesion, emrat
e anëtarëve të grupit të hartimit të dokumenteve të koncesionit, si dhe të komisionit të vlerësimit të
ofertave, emrat dhe adresat e ofertuesve të tjerë, një përmbledhje të vlerësimit dhe të krahasimit të
ofertave, arsyen për zgjidhjen e procedurës përkatëse konkurruese, një përmbledhje të të gjitha
kërkesave për sqarim për dokumentet e garës dhe përgjigjen e tyre, një përmbledhje të ankesave të
bëra dhe zgjidhjes së tyre, informacion në lidhje me negocimin, firmosjen dhe miratimin e kontratës.
Pasi është përcaktuar oferta fituese apo pasi procedura konkurruese ka përfunduar pa nxjerrë fitues, përmbajtja e regjistrit të koncesioneve, apo pjesë e tij, i vihet në dispozicion çdo personi të interesuar
me kërkesë të tij, konform ligjit “Për të drejtën e informimit të publikut me dokumentet zyrtare”.
Brenda 1 muaji nga data e miratimit të kontratës së koncesionit, autoriteti kontraktues i dorëzon APP-së
regjistrin e koncesionit (dokumentacionin origjinal).
KREU II
IDENTIFIKIMI I KONCESIONIT TË MUNDSHËM
1. Organet përgjegjëse, sipas fushës së veprimtarisë që mbulojnë me asistencën e njësisë së trajtimit të
koncesioneve, bëjnë identifikimin e projektit të koncesionit për rastet e propozimeve të kërkuara.
2. Identifikimi i projektit të koncesionit për rastet e propozimeve të kërkuara kryhet duke vlerësuar
strategjitë sektoriale apo rajonale të zhvillimit, studimet përkatëse që disponohen nga këto organe, si
dhe projektidetë teknike dhe financiare.
3. Për rastet e propozimeve të pakërkuara, identifikimi bëhet nga vetë propozuesi i projektit të
koncesionit, duke vlerësuar elementet si për rastet e kërkuara.
4. Pas identifikimit të projektit të koncesionit të mundshëm, si për propozimet e kërkuara, ashtu edhe të
pakërkuar bëhet analiza e rentabilitetit dhe e përshtatshmërisë financiare, për të vendosur nëse duhet
dhënë koncesion. Kjo analizë mbështetet në parimet e vlerës maksimale të projektit përkundrejt parave
që kërkohen, në përputhshmërinë e koncesioneve të mundshme me objektivat strategjikë kombëtarë
dhe objektivat strategjikë të sektorit, në rentabilitetin, teknik dhe tregtar, të koncesionit të mundshëm
dhe aftësinë e tij për të tërhequr koncesionarë të mundshëm dhe financime private. Njësia e Trajtimit të
Koncesioneve (NJTK) asiston organet përgjegjëse për realizimin e një analize të tillë.
5. Pas kryerjes së analizës së rentabilitetit dhe të përshtatshmërisë financiare dhe pasi ky koncesion
vlerësohet si i mundshëm, organi përgjegjës, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon miraton fillimin e
procedurave për dhënien me koncesion.
6. Në rastet e propozimeve të pakërkuara, nëse nga analiza e rentabilitetit dhe e përshtatshmërisë
financiare ky koncesion vlerësohet si jo i mundshëm, organi përgjegjës, sipas fushës së veprimtarisë që
mbulon, vendos për mosfillimin e procedurave për dhënien e koncesionit dhe njofton propozuesin për
vendimin e marrë.
7. Organi përgjegjës për sektorin në të cilin do të jepet koncesioni, sipas kërkesave të nenit 5/3 të ligjit
nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i propozon Këshillit të Ministrave përcaktimin e autoritetit
kontraktues përkatës.
8. Ministritë dhe organet e tjera të administratës, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtyre rregullave,
në zbatim të pikës 3 të nenit 4 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, për nxitjen e
investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ministri përgjegjës për ekonominë pas identifikimit
të aseteve nga m inistritë apo organet e tjera të administratës i propozon për miratim Këshillit të
Ministrave listën e aseteve që do të jepen me koncesion me çmimin simbolik 1 euro.
9. Lista e aseteve plotësohet dhe dërgohet në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, nga organet e
mësipërme, çdo 3 muaj.
10. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave i aseteve të propozuara, vlerësimi dhe dhënia me koncesion
do të kryhet sipas dispozitave të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” dhe të rregullave të
përcaktuara ose të miratuara me këtë vendim. KREU III
ORGANIZIMI I PROCEDURAVE KONKURRUESE TË PËRZGJEDHJES
Procedurat konkurruese të përzgjedhjes (më poshtë referuar si “procedurat konkurruese”) për
propozimet e kërkuara dhe ato të pakërkuara realizohen sipas përcaktimeve të mëposhtme:
1. Për propozimet e kërkuara:
Pas miratimit të autoritetit kontraktues, nga ana e tij, të fillojnë procedurat konkurruese.
Këto procedura përfshijnë:
a) Nxjerrjen e urdhrit për fillimin e procedurave për dhënien me koncesion. Ky urdhër përcakton:
– formën e procedurës dhe fazat e saj;
– njësinë e hartimit të dokumentacionit dhe organizimin e procedurave konkurruese (këtu e më poshtë
referuar si njësia e hartimit të dokumenteve);
– komisionin e vlerësimit të ofertave;
– pjesëmarrjen e konsulentit të specializuar, vendas ose të huaj, në rast se autoriteti kontraktues e
konsideron të nevojshëm.
Pas përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve të procedurës konkurruese, bëhet publikimi i ftesës për
ofertë.
b) Publikimi i ftesës për ofertë përmban:
– ftesën për pjesëmarrje në procedurë konkurruese, si dhe datën e orën e zhvillimit të tij;
– vendin dhe kohën për marrjen e dokumenteve standarde të procedurës konkurruese;
– për rastet e parakualifikimit jepen dokumentet e parakualifikimit. Më pas ofertuesit e parakualifikuar
ftohen për të paraqitur ofertat e tyre;
– për propozimet e kërkuara dhe kur nuk ka faza parakualifikuese, si dhe për propozimet e pakërkuara,
ftesa shpallet nga autoriteti kontraktues.
c) Ftesa për të marrë pjesë në procedurën e përzgjedhjes paraprake përgatitet me të dhënat e
parashikuara në nenin 11 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” dhe përmban të paktën:
– një përshkrim të shkurtër të mjetit infrastrukturor;
– tregues për elementet thelbësore të koncesionit, si shërbimet që duhet të bëhen nga koncesionari,
mënyrat e financimit të koncesionit, të parashikuara nga autoriteti kontraktues (për shembull fondet që
do të përdoren, nëse janë tërësisht nga tarifat ose pagesat e përdoruesve, apo koncesionarit mund t’i
jepen fonde publike, të tilla si pagesa të drejtpërdrejta, hua ose garanci);
– një përmbledhje e kushteve kryesore, nëse ka të tilla, të kontratës koncesionare, që do të lidhet;
– mënyrën dhe vendin e paraqitjes së aplikimit për fazën parakualifikuese, si dhe afatin ligjor për
dorëzimin, të shprehur në datën dhe orën e caktuar, duke u dhënë kohë të mjaftueshme ofertuesve për
të përgatitur dhe dorëzuar aplikimet e tyre;
– mënyrën dhe vendin e marrjes së dokumenteve të fazës parakualifikuese.
d) Ftesa për ofertë, si dhe ftesa për rastet kur bëhet përzgjedhja paraprake, botohen në Buletinin e
Njoftimeve Publike, në Web-Site të institucionit përgjegjës (qendror apo vendor) për dhënien e
koncesionit, si dhe në shtypin ndërkombëtar dhe vendas, sipas rastit:
– Për koncesionet që parashikojnë një vlerë investimesh deri në 5 milionë euro, botimi bëhet në të
paktën 2 gazeta kombëtare të përditshme, në 4 numra të njëpasnjëshëm. – Për koncesionet që parashikojnë një vlerë investimesh mbi 5 milionë euro, botimi bëhet në të paktën 1
gazetë ndërkombëtare, të njohur në tregjet e kapitaleve dhe financiare, në një gazetë të specializuar
ndërkombëtare për sektorin përkatës të koncesionit, në 3 numra të njëpasnjëshëm, si dhe në të paktën
2 gazeta kombëtare të përditshme, në 3 numra të njëpasnjëshëm.
e) Ftesa për ofertë, për çdo lloj procedure konkurruese apo faze që do të publikohet, duhet të përmbajë
domosdoshmërisht kushtet e mëposhtme:
– Ofertuesit të paraqesin vetëm një ofertë.
– Të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese.
– Pranimin e detyrimeve që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese.
– Shpenzimet e kryera për të marrë pjesë në procedurë konkurruese nuk rimbursohen nga autoriteti
kontraktues.
2. Për propozimet e pakërkuara
Për propozimet e pakërkuara, procedurat konkurruese fillojnë vetëm pasi janë zbatuar kërkesat e nenit
23 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006. Rregullat e organizimit të procedurave konkurruese të parashikuara
në kreun III, zbatohen dhe në rastin e procedurave konkurruese për propozimet e pakërkuara.
3. Kostot e organizimit te procedurave konkurruese
– Shpenzimet për mbulimin e kostove për procedurat e publikimit, hartimit të dokumentacionit dhe
konsulencës së specializuar përballohen nga ofertuesi fitues.
KREU IV
DOKUMENTET STANDARDE TË PROCEDURËS KONKURRUESE
Dokumentet standarde të procedurës konkurruese
1. Autoriteti kontraktues përgatit formatin e dokumenteve standarde të procedurës konkurruese që do
të përdoret gjatë procedurave të konkurrimit. Këto dokumente përfshijnë:
a) informacion të përgjithshëm dhe
b) informacion specifik, që ka lidhje me objektin e kontratës dhe llojin e procedurës, dhe që plotësohet
në çdo rast nga autoritetet kontraktuese.
Gjatë përgatitjes së dokumenteve të procedurës konkurruese autoriteti kontraktues nuk duhet të
përdorë asnjë dokument tjetër, përveç dokumenteve standarde. Ato duhet të jenë gjithmonë në
dispozicion të çdo ofertuesi të interesuar, që dëshiron të marrë pjesë në një procedurë konkurruese.
a) Informacioni i përgjithshëm përfshin:
– formularin e njoftimit të kontratës;
– formularin e ftesës për ofertë;
– udhëzimet për kandidatët/ofertuesit; formularin e ofertës;
– kriteret e përgjithshme të kualifikimit/ pjesëmarrjes;
– formularin e sigurimit të ofertës;
– formularin e sigurimit të kontratës;
– formularin e njoftimit të fituesit;
– formularin e skualifikimit të ofertuesve/kandidatëve
– formularin për publikimin e kontratës fituese;
– formularin e ankesës; – kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës.
Për koncesionet e hidrocentraleve deri në 10 MW, në kontratë do të përfshihen edhe kushte e
përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë. Në rastet kur e kërkon koncesionari, subjekti i
furnizimit të energjisë elektrike detyrohet të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga kjo kategori
hidrocentralesh me një kontratë afatgjatë. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga kjo
kategori hidrocentralesh do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe do të llogaritet nga Enti Rregullator dhe do
të shpallet prej tij në fillim të çdo viti duke pasur për bazë formulën si më poshtë:
Çmimi i shitjes (lekë/kWh) = Çmimin mesatar të importit të realizuar në vitin paraardhës në
eurocent/kWh X koeficientin 1.1 X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin paraardhës.
Me çmim mesatar të importit të realizuar të vitit paraardhës do të kuptohet çmimi që vjen si rezultat i
shumës totale të fondit të shpenzuar për këtë vit pjesëtuar me sasinë totale të importit të energjisë
elektrike të realizuar po në këtë vit.
Koeficienti 1.1 merr parasysh reduktimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit dhe të
shpërndarjes si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve me
rrjetin energjetik të tensionit të mesëm dhe/ose të ulët.
Në rast se HEC lidhet në rrjetin transmetues, koeficienti 1.1 bëhet 1.04.
Me normën mesatare të shkëmbimit euro/lekë të vitit paraardhës do të kuptohet kursi i këmbimit
mesatar vjetor euro/lekë të publikuar nga Banka e Shqipërisë për atë vit.
b) Informacioni specifik përfshin:
– Për kontratat e koncesionit:
i) projektin dhe specifikimet;
ii) preventivin e detajuar dhe kostot;
iii) grafikun e zbatimit;
iv) kërkesat e veçanta për kualifikim dhe kriteret e shpalljes së fituesit.
– Për hidrocentralet deri në 10 MW, përveç dokumenteve të parashikuara sa më sipër, ofertuesi duhet të
paraqesë në mënyrë më të detajuar edhe këto dokumente:
– zgjidhja teknike, për një shfrytëzim maksimal të potencialit ujor, ku të përcaktohet fuqia e instaluar e
projektuar e centralit, energjia mesatare vjetore që mendohet të prodhohet;
– përzgjedhja e makinerive dhe e pajisjeve që do të përdoret;
– mënyra e operimit;
– studimi gjeologjik;
– studimi hidrogjeologjik;
– planbiznesi;
– ndikimi në mjedis;
– kualifikimet profesionale dhe teknike të stafit për të monitoruar projektin, ndërtimin e objekteve dhe
montimin e pajisjeve dhe makinerive;
– aftësi të mjaftueshme për të administruar aspekte financiare të projekteve, kapacitetet e duhura për t’i
shfrytëzuar hidrocentralet brenda kushteve teknike;
– oponencë nga organet e specializuara mbi projektin e propozuar;
– të ketë marrë informacion nga këshilli i basenit ujor të zonës ku do të zbatohet koncesioni për
prioritetin dhe për sasinë e ujit që mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike;
– informacioni i jepet çdo kërkuesi nga ana e basenit përkatës të ujit, pa qenë nevoja të plotësojë dokumentacionin dhe formularin standard që përdoret për dhënien e lejes së përdorimit të ujit. Ky
informacion i jepet çdo personi që kërkon atë.
– Për kontratat e koncesionit për shërbimet:
i) specifikimet teknike të shërbimeve;
ii) grafiku i livrimit ose i kryerjes së shërbimeve;
iii) kualifikimet e veçanta dhe kriteret e shpalljes së fituesit;
iv) termat e referencës;
v) kërkesat për personelin kryesor të shërbimeve;
vi) kërkesat e veçanta për kualifikim dhe kriteret e shpalljes së fituesit.
KREU V
UDHËZIME PËR MËNYRËN E ZBATIMIT TË PROCEDURAVE KONKURRUESE
1. Informacion i përgjithshëm
a) Njoftimi i kontratës. Njoftimi i kontratës përmban të gjithë informacionin e nevojshëm për t’i lejuar
ofertuesit të vendosin nëse do të marrin pjesë ose jo në proc edurat konkurruese. Ky informacion
përfshin emrin dhe adresën e autoritetit kontraktues dhe personit(-ve) përgjegjës për procedurën;
objektin e koncesionit, referencën e njoftimit dhe procedurën konkurruese; kohëzgjatjen e kontratës;
një përshkrim të shkurtër të kontratës; kërkesat për kualifikim në lidhje me kapacitetet ligjore,
ekonomiko-financiare dhe teknike; kriteret e shpalljes së fituesit; vendin, metodat dhe koston për
marrjen e dokumenteve të procedurës konkurruese; vendin, datën dhe orën për dorëzimin e ofertave
dhe hapjen e tyre; gjuhën/gjuhët e ofertave dhe dokumenteve; informacione të mëtejshme, të
konsideruara si të dobishme nga autoriteti kontraktues.
b) Ftesa për ofertë. Përfshin: një referencë për njoftimin e publikuar të kontratës; kriteret e shpalljes së
fituesit; vendin, datën dhe orën për dorëzimin e ofertës dhe vendin, datën dhe orën për hapjen e
ofertave; gjuhën/gjuhët e ofertave dhe dokumenteve; ndonjë informacion të mëtejshëm që është
konsideruar si i dobishëm nga autoriteti kontraktues.
c) Udhëzimet për ofertuesit. Udhëzimet duhet të përmbajnë të gjithë informacionin e duhur për
përgatitjen e ofertës, si dhe veprimet që ndalohen me ligj. Në to shpjegohet se pjesëmarrësit në
procedurën e konkurrimit duhet të përdorin vetëm dokumentet standarde të procedurës konkurruese,
pa bërë asnjë ndryshim.
Në udhëzime jepet nëse parashikohet një vizitë në terren/objekt, atëherë të gjithë pjesëmarrësit në
procedurë konkurruese duhet të kenë mundësi të barabarta për të vëzhguar terrenin e
punës/ekzekutimit. Gjithashtu mund të organizohet edhe një konferencë paraprake (përfshirë edhe në
rastin e mallrave), ku të gjithë kandidatët mund të kërkojnë sqarime përsa i përket ndonjë paqartësie që
lind gjatë përgatitjes së një procedurë konkurruese. Kërkesat për sqarime duhet të paraqiten me shkrim
dhe përgjigjet përkatëse të autoritetit kontraktues duhet t’u dërgohen të gjithë ofertuesve që kanë
kërkuar dokumentet e procedurës konkurruese, pa asnjë përjashtim.
Çdo amendim ose ndryshim në dokumentet e procedurës konkurruese duhet t’i bëhet i njohur çdo
ofertuesi të interesuar në pajtim me rregullat e mësipërme.
Dokumentet e procedurës konkurruese duhet të theksojnë se gjatë përgatitjes së ofertave të tyre,
ofertuesit duhet të përfshijnë të gjitha detyrimet fiskale që janë në fuqi, 28 ditë para hapjes së ofertave. Në udhëzime duhet të jepen informacione përsa i përket procedurës së rishikimit dhe dorëzimit të
ankesave.
ç) Formulari i ofertës. Ky formular përmban vlerën e projektit dhe konfirmimin e ofertuesit se ai/ajo:
i) e ka shqyrtuar dhe pranuar përmbajtjen e dokumenteve të procedurës konkurruese;
ii) autorizon autoritetin kontraktues të verifikojë informacionin/dokumentet bashkëngjitur me ofertën;
iii) zotohet të ekzekutojë kontratën pa asnjë rezervë ose kufizim, në përputhje me projektin,
specifikimet teknike apo termat e referencës, dhe me vlerën e deklaruar në ofertë.
d) Formulari i skualifikimit të ofertuesve. Ky dokument përmban shkaqet për të cilat një ofertues nuk
mund të kualifikohet në një procedurë konkurruese.
dh) Kriteret e përgjithshme të kualifikimit/pjesëmarrjes. Ky dokument përmban listën e
dokumentacionit ligjor dhe administrativ të ofertuesve, të kërkuar nga autoriteti kontraktues, në lidhje
me të drejtën për të marrë pjesë në procedurën konkurruese. Kandidatëve apo ofertuesve të huaj, në
shtetet e të cilëve nuk mund të lëshohen dokumente të tilla, do t’u pranohen në formën e deklaratës me
shkrim, nën përgjegjësinë e tyre. Çdo e dhënë e rreme përbën shkak ligjor për skualifikim të ofertuesit.
e) Formulari i sigurimit të ofertës. Ky formular shërben si një masë mbrojtëse për autoritetin
kontraktues, në rastet e ofertave të papërgjegjshme apo tërheqjes në mënyrë të njëanshme pas hapjes
së tyre. Sigurimi i ofertës ka formën e një depozite apo garancie, të lëshuar nga një bankë ose një
shoqëri sigurimi e licencuar nga shteti për të ushtruar këtë aktivitet.
Ofertuesit ose kandidatët e kualifikuar duhet të paraqesin sigurimin e ofertës, me vlerë 2% të vlerës së
projektit ose të shërbimit, të përcaktuar në dokumentet e procedurës konkurruese. Sigurimi i ofertës
duhet të jetë i vlefshëm për 150 ditë nga afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave, por dokumentet e
procedurës konkurruese mund të parashikojnë një periudhë të ndryshme vlefshmërie, bazuar në
kohëzgjatjen e mundshme të procedurës.
Lëshuesi i sigurimit të ofertës:
– duhet të mos vendosë asnjë kusht për pagimin; dhe
– duhet të paguajë shumën brenda 15 ditëve nga marrja e një kërkese zyrtare nga autoriteti kontraktues.
Autoriteti kontraktues duhet t’ua kthejë apo lirojë ofertuesve sigurimin e ofertës jo më vonë se 15 ditë
nga nënshkrimi i kontratës dhe brenda pese ditëve-pune nga dita e shpalljes së fituesit për ofertuesit e
tjerë.
ë) Formulari i sigurimit të kontratës. Ky sigurim garanton autoritetin kontraktues në rastet e shkeljes së
kontratës. Para nënshkrimit të kontratës ofertuesi i përzgjedhur si fitues duhet t’i dorëzojë autoritetit
kontraktues një sigurim kontrate deri 10% të vlerës së projektit ose shërbimit.
Nëse ofertuesi i përzgjedhur nuk dorëzon sigurimin e kontratës brenda afatit përfundimtar të përcaktuar
në njoftimin e fituesit, atëherë autoriteti kontraktues konfiskon sigurimin e ofertës dhe i akordon
kontratën ofertuesit të renditur i dyti në klasifikimin përfundimtar.
f) Formulari i njoftimit të fituesit. Pas miratimit të klasifikimit përfundimtar nga titullari i autoritetit
kontraktues apo zyrtari i autorizuar, siç parashikohet në këtë rregullore, ofertuesi i suksesshëm duhet të
njoftohet me shkrim për pranimin e ofertës së tij dhe për fillimin e negocimeve të kontratës. Ky njoftim i
dërgohet edhe APP-së me qëllim publikimin në buletinin e njoftimeve publike.
Njoftimi duhet të përmbajë: referencën e procedurës, emrin dhe adresën e saktë të ofertuesit të
shpallur fitues; përshkrimin e projektit apo shërbimit të koncesionit; kohëzgjatjen e kontratës dhe vlerën
e kontratës; emrat dhe vlerën e ofertuesve të tjerë; emrat e ofertuesve të skualifikuar dhe arsyet e skualifikimit; si dhe kërkesën që kontrata të nënshkruhet brenda 30 ditëve, apo në një periudhë kohe të
treguar në dokumentet e garës, me kusht që të jetë bërë sigurimi i kontratës, sipas afateve të
përcaktuara ne sigurimin e kontratës.
g) Formulari i publikimit të kontratës fituese. Brenda 30 ditëve nga miratimi i kontratës, autoriteti
kontraktues duhet të dërgojë informacion të plotë në APP mbi kontratën e lidhur, me qëllim publikimin
në buletinin e prokurimit publik konform nenit 22/5 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”.
gj) Formulari i ankesës. Ky formular i shërben ofertuesve për dorëzimin e ankesës administrative, lidhur
me veprimet ose mosveprimet e autoritetit kontraktues. Formulari i ankesës përmban udhëzimet e
nevojshme për plotësimin dhe nënshkrimin e tij dhe duhet të jetë i publikuar në faqen e internetit të
institucionit dhe të APP-së.
i) Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës. Ky dokument përkufizon tërësinë e punëve,
shërbimeve apo projektit të koncesionit, të drejtat dhe detyrimet ndërmjet autoritetit kontraktues dhe
kontraktuesit, si dhe detyrimet që lidhen me ekzekutimin, mbikëqyrjen dhe administrimin e kontratës së
koncesionit.
2. Informacione specifike
a) Kontratat për projektet e koncesionit
Në dokumentet e procedurës konkurruese për projektet e koncesionit, projekti duhet të plotësohet me
detaje, ku përfshihen vlerat për njësi sipas volumeve të punës apo ndërtimeve.
Specifikimet teknike shprehin qartë kërkesat e autoritetit kontraktues në lidhje me projektin dhe cilësinë
e të gjitha punimeve dhe materialeve që do të përdoren, si dhe kërkesa të tjera që lidhen ngushtë me
natyrën dhe përbërësit e projektit.
Kur është në interes të autoritetit kontraktues ose e lidhur me natyrën e punimeve, në dokumentet e
konkurrimit parashikohet grafiku, fazat dhe afatet e ekzekutimit të këtyre punimeve.
Kriteret specifike të kualifikimit duhet të rendisin të gjitha kërkesat specifike, në përputhje me nenin 19
të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”. Këto duhet të jenë proporcionale dhe të lidhura
ngushtë me aftësinë për të ekzekutuar natyrën dhe vlerën e kontratës.
Përsa i përket përvojës së mëparshme, autoriteti kontraktues kërkon:
– punime për një koncesion të ngjashëm në një vlerë jo më të madhe se 50% e vlerës së përllogaritur të
kontratës që konkurrohet dhe që është ekzekutuar ose përfunduar me sukses; ose
– vërtetime për përmbushje të suksesshme (si dëshmi për përvojën e mëparshme), të lëshuara nga një
ent publik ose privat, që tregon vlerën, kohën dhe natyrën e punimeve të ekzekutuara, dhe/ose
çfarëdolloj dokumenti tjetër që parashikon legjislacioni ne fuqi dhe që mund ta vërtetojë një gjë të tillë.
Autoriteti kontraktues mund t’u kërkojë ofertuesve të dorëzojnë dëshmitë e mëposhtme, që vërtetojnë
se ai i plotëson kërkesat minimale, të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese:
Lidhur me kapacitetet financiare dhe ekonomike:
i) kopje të certifikuara të bilanceve, të një ose më shumë viteve, të paraqitura në autoritetet përkatëse;
ose
ii) kopje të deklaratave të xhiros vjetore dhe/ose raportet e auditimit financiar, të certifikuara nga një
subjekt i jashtëm i licencuar auditimi; ose/dhe
iii) deklaratë bankare për gjendjen financiare.
Ato i shërbejnë autoritetit kontraktues për njohjen e gjendjes financiare të ofertuesve dhe mundësisë së
tyre për ekzekutimin me sukses të kontratës së koncesionit. Si rrjedhim një operator me bilanc ekonomik negativ për një periudhë trevjeçare mund të shërbejë si tregues për paaftësinë e operatorit
ekonomik për përmbushjen e kontratës.
Kërkesa në lidhje me gjendjen financiare shërben si tregues për disponimin nga ana e ofertuesve të
gjendjes në para që mund t’i duhet për mbulimin e shpenzimeve paraprake të fillimit të ekzekutimit të
kontratës. Një kërkesë e tillë nuk duhet të jetë disk riminuese dhe as të përmbajë kufij të tillë financiarë
që tejkalojnë nevojat për mbulimin e shpenzimeve paraprake.
Lidhur me kapacitetet teknike dhe profesionale:
i) licencat profesionale që lidhen me ekzekutimin e punimeve sipas objektit të kontratës; ose/dhe
ii) dëshmi e disponueshmërisë për ekzekutimin e kontratës nga ekspertët që nuk i përkasin drejtpërdrejt
ofertuesit; ose/dhe
iii) kualifikimet arsimore dhe profesionale të stafit përgjegjës për drejtimin e punimeve; ose/dhe
iv) dëshmi mbi fuqinë mesatare punëtore të ofertuesit dhe numrit të stafit drejtues; ose/dhe
v) dëshmi të mjeteve, pajisjeve teknike në dispozicion apo që mund të vihen në dispozicion të ofertuesit
për të përmbushur kontratën. Nëse zbatohet kriteri i ofertës me avantazhe më të mëdha ekonomike,
atëherë duhet të shprehet qartë lista dhe pesha e kritereve të shpalljes së fituesit.
Në çdo rast kërkesat e mësipërme duhet të jenë të argumentuara nga autoriteti kontraktues, në
dokumentet e procedurës konkurruese.
b) Kontratat koncesionare të shërbimit:
Lloji i shërbimeve duhet të shprehet qartë në termat e referencës, ku përfshihen objekti, qëllimi,
specifikimet teknike dhe afatet kohore të shërbimit që do të kryhet.
Autoriteti kontraktues mund të kërkojë një listë të personelit kryesor, të nevojshëm për të zbatuar llojin
e kontratës dhe/ose komponentët e saj. Lista e personelit kryesor duhet të përfshijë CV-të e tyre, si dhe
licencat profesionale kur këto ekzistojnë.
Autoriteti kontraktues mund të kërkojë dëshmi të shërbimeve të mëparshme të ngjashme, të kryera
gjatë tre viteve të fundit të aktivitetit tregtar. Në çdo rast vlera e kërkuar si kusht minimal nuk duhet të
tejkalojë 40% të vlerës së kontratës që prokurohet. Dëshmia e ekzekutimit të suksesshëm të shërbimit
duhet të provohet me anë të certifikatave/dëshmive ose dokumenteve të tjera, të lëshuara nga
përfituesi i shërbimit, që tregon datat, vlerën dhe llojin e shërbimit.
Lidhur me kapacitetet financiare dhe ekonomike kërkohen:
v) kopje të certifikuara të një ose më shumë bilanceve, të paraqitura në autoritetet përkatëse; ose
vi) kopje të deklaratave të xhiros vjetore dhe raportet e auditimit, të certifikuara nga një subjekt i
jashtëm i licencuar auditimi.
Kërkesat e mësipërme duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me objektin e kontratës. Ato
i shërbejnë autoritetit kontraktues për njohjen e gjendjes financiare të ofertuesve dhe mundësisë së tyre
për ekzekutimin me sukses të kontratës.
Kur zbatohet kriteri me avantazhe më të mira ekonomike, duhet të shprehet qartë lista dhe rëndësia e
kritereve të shpalljes së fituesit.
Autoriteti kontraktues mund t’i kërkojë ofertuesve të paraqesin certifikata, të lëshuara nga organe të
pavarura, të njohura nga standardet shqiptare dhe ndërkombëtare. Kjo dispozitë zbatohet edhe kur
kërkesat teknike i referohen kualifikimeve të ofertuesit. Ato duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura
ngushtë me objektin e kontratës dhe duhet të respektojnë parimin e mosdiskriminimit. KREU VI
HARTIMI I DOKUMENTEVE TË PROCEDURËS KONKURRUESE
1. Autoriteti kontraktues është përgjegjës për hartimin e dokumenteve të procedurës konkurruese, në
përputhje me këtë rregullore dhe me legjislacionin në fuqi. Ai është përgjegjës, përveç hartimit të
dokumenteve të procedurës konkurruese, edhe për kërkesat për kualifikim, dhe kriteret e vlerësimit.
Specifikimet teknike përgatiten nga struktura të specializuara për objektin që jepet me koncesion
brenda autoritetit kontraktues apo edhe jashtë tij kur kjo ekspertizë mungon. Gjatë procesit të hartimit
të dokumenteve duhet të mbahet procesverbal, i cili duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e
grupit të hartimit te dokumenteve, i cili është caktuar me urdhër të titullarit të autoritetit kontraktues.
Për vendosjen e çdo kriteri për kualifikim, grupi duhet të argumentojë me hollësi vendosjen e tyre
referuar natyrës të kontratës.
Në rastet e kontratave komplekse ose që kërkojnë njohuri të veçanta teknike apo juridike, autoriteti
kontraktues mund të punësojë specialistë të jashtëm ose kontraktues për të ndihmuar grupin në
hartimin e dokumenteve të procedurës konkurruese. Në hartimin e dokumenteve të procedurës
konkurruese, autoriteti kontraktues duhet të përdorë dokumentet standarde të procedurës
konkurruese. Dokumentet nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e grupit që i kanë hartuar ato.
2. Pas hartimit të dokumenteve të procedurës konkurruese dhe miratimit nga komisioni i vlerësimit të
ofertave, titullari i autoritetit kontraktues apo personi i autorizuar nga ai, miraton publikimin e njoftimit
për dhënien me koncesion. Në këtë njoftim duhet të bëhet e qartë ora, data dhe adresa për dorëzimin e
ofertave dhe hapjen e tyre.
3. Njësia e hartimit te dokumenteve kryesohet nga kryetari dhe përbëhet nga jo më pak se katër
persona. Grupi cakton një person, i cili është përgjegjës për lëshimin e një kopjeje të dokumenteve të
procedurës konkurruese të çdo ofertuesi. Nëse kërkohet nd onjë sqarim nga një ofertues, atëherë
titullari i autoritetit kontraktues e komunikon këtë me shkrim. Shtyrja e afatit kohor si rezultat i
modifikimit të dokumenteve të procedurës konkurruese hyn në fuqi vetëm pas miratimit me shkrim nga
titullari i autoritetit.
KREU VII
PARAQITJA DHE DORËZIMI I OFERTAVE
1. Paraqitja e ofertave
a) Ofertuesit duhet t’i paraqesin ofertat e tyre në përputhje me udhëzimet dhe kushtet e përcaktuara në
ftesën për procedurën konkurruese.
b) Ofertuesit duhet të paraqiten vetëm me një ofertë.
c) Oferta përfshin detyrimisht angazhimet e mëposhtme:
– pranimin prej ofertuesit të kushteve të përcaktuara në ftesën për procedurën konkurruese.
– pranimin prej ofertuesit të detyrimeve që rrjedhin nëse shpallet fitues.
d) Të gjitha shpenzimet e kryera nga ofertuesit për përgatitjen e ofertave të tyre nuk rimbursohen nga
shteti.
2. Dorëzimi i ofertave
– Ofertat duhet të dorëzohen në adresën e përcaktuar në dokumentet e procedurës konkurruese, brenda afatit kohor të specifikuar në dokumentet e procedurës konkurruese, të përcaktuar si afati i
fundit për dorëzimin e ofertave. Menjëherë pas skadimit të afatit përfundimtar, komisioni për vlerësimin
e ofertave fton përfaqësuesit e ofertuesve të paraqesin ofertat/propozimet e tyre, të mbyllura në zarf,
ose verifikon ato çka mund të jenë dorëzuar më parë në një nga mënyrat e parashikuara në dokumentet
e procedurës konkurruese.
– Çdo ofertë e dorëzuar pas afatit të përcaktuar në njoftimin e autoritetit kontraktues nuk do të
shqyrtohet nga komisioni dhe do t’i kthehet e pahapur ofertuesit.
– Ofertat do të dorëzohen në dy zarfe, ku në njërin duhet të jetë shënuar “Origjinal” dhe te tjetri “Kopje”.
Secili nga këto zarfe duhet të përmbajë kualifikimet e ofertuesit, ofertën teknike (nëse përfshihet) dhe
ofertën financiare. Autoriteti kontraktues mund të përcaktojë në dokumentet e garës numrin e kopjeve
që ofertuesit duhet të sjellin.
– Në rastet kur konkurrimi është me parakualifikim, ofertuesit, pasi kanë kaluar fazën e parakualifikimit,
në fazën e dytë sjellin vetëm dokumentacionin teknik dhe financiar në dy zarfe, sipas përcaktimit të
paragrafit të mësipërm.
– Zarfet do të paraqiten sipas përcaktimit në dokumentet standarde të procedurës konkurruese. Zarfet
duhet të jenë të vulosur me vulën e ofertuesit pjesëmarrës në konkurrim. Mosparaqitja sipas
përcaktimit, apo mungesa e çdo elementi të përcaktuar për prezantimin e tij do ta bëjë ofertën të
pavlefshme. Në këtë rast oferta do të s’kualifikohet, por zarfi nuk do t’i kthehet ofertuesit.
KREU VIII
KOMISIONI I VLERËSIMIT TË OFERTAVE DHE NJËSIA E HARTIMIT TË DOKUMENTEVE
1. Komisioni i vlerësimit të ofertave caktohet me urdhër të titullarit të autoritetit kontraktues dhe
përbëhet nga jo më pak se 5 persona, specialistë të fushës përkatëse të autoritetit kontraktues dhe
është përgjegjës për miratimin e dokumenteve të garës dhe shqyrtimin e ofertave. Në çdo rast numri i
anëtarëve duhet të jetë tek. Personat përgjegjës për hartimin e dokumenteve të procedurës
konkurruese nuk mund të emërohen anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kryetari i komisionit
duhet të përzgjidhet mes zyrtarëve të lartë drejtues të autoritetit kontraktues dhe është plotësisht
përgjegjës për organizimin e punës menjëherë pas krijimit të komisionit. Komisioni duhet të zbatojë
detyrat e tij në pavarësi të plotë dhe nëse kërkohet ndonjë sqarim në lidhje me dokumentet e
procedurës konkurruese, këto merren nga grupi për organizimin e procedurave konkurruese. Komisioni
nuk kryen asnjë veprim tjetër, përveç atyre të përcaktuara shprehimisht në këtë rregullore.
2. Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave:
Personat që përbëjnë konflikt interesi me ofertuesit sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”.
3. Çdo pjesëmarrës në komisionin e vlerësimit duhet të deklarojë se nuk ka lidhje gjaku, krushqie apo
interesi me ofertuesit në procedurë konkurruese.
4. Anëtarët e komisionit dhe çdo person që ka marrë pjesë në procedurën e hartimit të dokumenteve
kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së ofertës.
5. Njësia e hartimit të dokumenteve përbëhet nga të paktën 4 anëtarë, me të paktën 1 jurist në
përbërjen e saj. 2 anëtarë të njësisë së hartimit të dokumenteve janë nga njësia e trajtimit të
koncesioneve (NJTK).
6. Njësia e hartimit të dokumenteve është përgjegjëse për hartimin e dokumenteve të garës, kërkesave për kualifikim dhe kritereve të vlerësimit. Hartimi i dokumentacionit teknik dhe financiar që ka të bëjë
me projektin e koncesionit, bëhet nga struktura të specializuara të autoritetit kontraktues ose të
kontraktuara nga ky i fundit, apo njësia e trajtimit të koncesioneve.
7. Njësia e hartimit të dokumenteve është përgjegjëse për hartimin e regjistrit të koncesionit për
projektin konkret, për hartimin dhe dërgimin e njoftimeve brenda afateve të parashikuara nga
legjislacioni i koncesioneve, për mbledhjen dhe administrimin e dokumenteve të nevojshme që kanë të
bëjnë me procedurën konkurruese, si dhe për detyra që i ngarkohen nga komisioni i vlerësimit të
ofertave.
8. Procesi i hartimit të dokumenteve të garës pasqyrohet në regjistrin e koncesioneve. Dokumentet e
hartuara nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e njësisë së hartimit të dokumenteve.
KREU IX
HAPJA DHE VLERËSIMI I OFERTAVE
Hapja e dokumenteve është publike.
a) Komisioni hap dhe lexon ofertat në prani të ofertuesve sipas përcaktimeve në këtë rregullore.
Anëtarët e grupit që kanë marrë pjesë në hartimin e dokumenteve të procedurës konkurruese janë të
pranishëm gjatë fazës së hapjes dhe vlerësimit, por nuk kanë të drejtë të votojnë ose të ndikojnë në
procesin e shqyrtimit. Ata mund të japim mendime vetëm kur kërkohet, si dhe kryejnë vetëm funksione
të karakterit ndihmës, siç janë mbajtja e procesverbalit, sistemimi dhe ruajtja e dokumenteve etj.
b) Komisioni i vlerësimit lexon emrin dhe adresën e ofertuesit dhe hap zarfin përkatës. Më tej, komisioni
i vlerësimit hap zarfin e dokumenteve të kualifikimit dhe lexon listën e dokumenteve të paraqitura nga
ofertuesi. Më pas, hapen ofertat teknike dhe ofertat financiare. Komisioni u komunikon përfaqësuesve
ditën, vendin dhe orën për klasifikimin përfundimtar të ofertuesve dhe më pas vazhdon punën për
shqyrtimin e ofertave. Në fillim shqyrtohet dokumentacioni ligjor dhe kualifikues.
c) Më pas komisioni vazhdon vlerësimin e ofertave financiare të kandidatëve të kualifikuar dhe bën
klasifikimin teknik, bazuar në pikët që u janë dhënë ofertuesve, në përputhje me kriteret e përcaktuara
nga autoriteti kontraktues. Më pas kalohet në shqyrtimin e ofertës financiare. Nëse është e nevojshme,
komisioni i vlerësimit mund të kërkojë sqarime nga ofertuesit, të cilat duhet të jenë vetëm me shkrim
ose të reflektuara në procesverbalin e konkurrimit. Bazuar në ofertat e pranuara, komisioni i vlerësimit
harton renditjen përfundimtare, e cila duhet të komunikohet në kohën e përcaktuar në dokumentet e
tenderit.
d) Nëse më shumë se një ofertë financiare ka të njëjtën vlerë ose kanë pikë të njëjta, atëherë fituesi do
të përcaktohet me anë të shortit në prani të ofertuesve.
e) Bazuar në ofertat e pranuara, komisioni i vlerësimit harton klasifikimin përfundimtar, i cili i
komunikohet ofertuesve në kohën e përcaktuar.
f) Autoriteti kontraktues verifikon vetëm informacionin e dorëzuar nga ofertuesi i renditur i pari dhe i
dyti në klasifikim. Kryetari i komisionit të vlerësimit, brenda 15 ditëve nga komunikimi me ofertuesit,
përgatit një raport përmbledhës dhe i propozon fituesin titullarit të autoritetit kontraktues. Ky raport
përmban:
1) objektin e koncesionit;
2) përmbledhje të procedurës së ndjekur; 3) numrin e ofertave të paraqitura dhe një përmbledhje për çdo ofertë;
4) kriteret e vlerësimit të ofertave dhe vlerësimin në bazë të këtyre kritereve për secilën ofertë;
5) kriteret e përcaktimit të ofertës financiare;
6) renditja e ofertuesve sipas vlerësimit të bërë nga ana e komisionit;
7) ankesat nëse ka pasur.
g. Pas shqyrtimit të ankesave të dorëzuara, nëse ka të tilla, titullari i autoritetit kontraktues njofton
ankimuesin për vendimin e marrë.
KREU X
PAVLEFSHMËRIA DHE MOSSUKSESI I PROCEDURËS KONKURRUESE
1. Një ofertë deklarohet e pavlefshme nëse:
a) ofertuesi nuk ka dhënë garancitë e nevojshme;
b) ofertuesi ka shkelur detyrimin e konfidencialitetit ose ka dhënë të dhëna të rreme në ofertën e tij;
c) ofertuesi nuk ka plotësuar një nga kërkesat kryesore të ftesës për procedurë konkurruese.
2. Procedura konkurruese quhet e pasuksesshme kur:
a) asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbush kërkesat e ftesës për procedurë konkurruese;
b) autoriteti kontraktues, për mungesë të leverdisë ekonomike të ofertave ose të vetë projektit, shpall
mbylljen e procedurës konkurruese;
c) kur organi përgjegjës për miratimin e kontratës nuk e miraton atë.
KREU XI
SHPALLJA E FITUESIT DHE NEGOCIMI I KONTRATËS
1. Komisioni i vlerësimit të ofertave i paraqet autoritetit kontraktues raportin përfundimtar të vlerësimit
të ofertave. Në bazë të këtij raporti, autoriteti kontraktues rendit të gjitha propozimet e pranueshme
dhe njofton të gjithë ofertuesit për këtë, sipas një formulari tip.
2. Autoriteti kontraktues urdhëron krijimin e grupit të negocimit. Në grupin e negocimit marrin pjesë
përfaqësues të njësisë së trajtimit të koncesioneve dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
3. Autoriteti kontraktues, nëse nuk merr njoftim nga APP-ja për paraqitjen e ndonjë ankimimi, fton për
negocime përfundimtare ofertuesin që ka marrë vlerësimin më të mirë.
4. Në rast se brenda afatit të përcaktuar ndonjë ofertues paraqet ankimim, ky ofertues duhet të njoftojë
për këtë ankimin, përveç APP-së, edhe autoritetin kontraktues.
5. Në rastet kur ka ankimim, autoriteti kontraktues vepron në përputhje me vendimet e APP-së.
6. Autoriteti kontraktues ka të drejtë të negociojë edhe çështje të tjera përveç atyre të parashikuara në
nenin 27 të ligjit.
7. Në rastet e përdorimit të procedurave jokonkurruese, sipas nenit 22 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006,
autoriteti kontraktues i kërkon Këshillit të Ministrave miratimin për fillimin e negocimeve të kontratës
koncesionare me subjektin e përcaktuar. Kërkesa duhet të ketë të argumentuar edhe arsyet dhe
mënyrën e përzgjedhjes së këtij subjekti.
8. Pas përfundimit të negocimeve për rastet pa procedurë konkurruese, autoriteti kontraktues paraqet
në Këshillin e Ministrave propozimin për miratimin e kontratës. Në rastet e pikës 1/b të nenit 22 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, autoriteti kontraktues paraqet argumentet dhe propozimet
për prishjen e kontratës së koncesionit. Autoriteti kontraktues, brenda 5 ditëve pas nënshkrimit të
kontratës, i dërgon njësisë së trajtimit të koncesioneve një kopje të kontratës për të shprehur opinionin
e saj konform nenit 21/4 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”.
9. Për hidrocentralet deri në 10 MW, pas miratimit të kontratës së koncesionit nga autoriteti
kontraktues, koncesionari, brenda 10 ditëve, i kërkon këshillit të basenit të ujit të zonës ku do ndërtohet
hidrocentrali lejen për përdorimin e ujit, duke i paraqitur atij një kërkesë dhe kopjen e noterizuar të
kontratës së koncesionit.
10. Këshilli i basenit të ujit pajis koncesionarin me lejen e përdorimit të ujit jo më vonë se 30 ditë pas
paraqitjes së kërkesës nga koncesionari.
KREU XII
ANKIMIMI
1. Çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë në APP vendimet e marra nga autoriteti kontraktues dhe
komisioni i vlerësimit të ofertave brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
2. Procedurat e ankimimit janë ato të parashikuara në nenin 25 dhe 26 të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006
“Për koncesionet”.

Related Post

VKM Nr. 448 dt. 16.06.2010 VENDIM Nr.448, datë 16.6.2010 PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.27, DATË 19.1.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËS...
VKM Nr. 544 dt. 01.05.2008 VENDIM Nr.544, datë 1.5.2008 PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.27, DATË 19.1.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËSIM...
VKM Nr. 104 dt. 28.02.2007 VENDIM Nr.104, datë 28.2.2007 PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.27, DATË 19.1.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËSI...
AKT NORMATIV Nr.1, datë 5.5.2010 – “... AKT NORMATIV Nr.1, datë 5.5.2010 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9663, DATË 18.12.2006 "PËR KONCESIONET", TË NDRYSHUAR Në mbështetje t...
VKM Nr. 87 dt. 16.01.2008 VENDIM Nr.87, datë 16.1.2008 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.27, DATË 19.1.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE "PËR MIRATIMIN E RREGULL...
share